Muja i hapur të bashkëpunojë me organet e drejtësisë

Posted by Unknown On Tuesday, May 7, 2013 0 comments
Zgjerimi i hetimeve edhe për tetë zyrtarët e tjerë në rastin Medicus, ku përmenden edhe emrat e ish-zyrtarëve të lartë të institucioneve të vendit, janë hedhur poshtë nga vet ata. Përderisa ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, ka thënë se në kohën kur ka qenë ministër, klinika Medicus nuk ka pasë licencë, Shaip Muja thotë që është i hapur të bashkëpunojë me organet e drejtësisë së Kosovës, si dhe atyre të EULEX-it në zbardhjen e këtij rasti.
Gjatë ditës së djeshme, gazeta britanike The Independent ka shkruar se prokurorët e BE-së do të hetojnë figura kyçe qeveritare në Kosovë, për përfshirjen e mundshme në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të organeve, që joshi donatorët e varfër duke iu marrë atyre veshkat dhe duke ia shitur pastaj ato përfituesve të pasur për shuma të majme, citon gazeta britanike burime të afërta me rastin.
Në këtë shkrim ajo përmend edhe emrat, si të ish-ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, dhe ish-këshilltarin e kryeministrit Thaçi, Shaip Muja.
Gashi, në një prononcim për media, ka thënë shkurt se sa ka qenë ai ministër, kjo klinikë nuk ka pasur licencë.
Ndërkohë, Muja, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë nëpërmjet telefonit për Kosovapress se është i hapur që të bashkëpunojë 24 orë në lidhje me këtë rast, por ka tërhequr edhe vërejtjen gazetarëve që mos të japin informacione të pabazuara.
“Jam i hapur për drejtësi dhe nuk i iki drejtësisë. Unë i besoj drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare të EULEX-it. Për çdo gjë jam transparent, 24 orë. Nuk është mirë me konsumu informacione të pabazuara, se edhe gazetarët kanë përgjegjësi publike”, ka thënë Muja.
Për më tepër, ai ka thënë se ka qenë i hapur të bashkëpunojë me organet e drejtësisë që nga dalja e raportit të Dick Martyt dhe Medicusit.
“Medicus-i ka marr verdiktin e vet dhe nëse ai verdikt nuk ka qenë i mjaftueshëm, unë i jam i hapur... Jam i vendosur me sjell ligjshmëri në Kosovë dhe me sjell ligje që mungojnë. Nuk besoj që EULEX-i u beson disa mediave të cilat krijojnë percepcionin publik, sepse ky mund të jetë shumë relativ”, ka thënë Muja.
Ndryshe, pesë persona janë gjetur fajtorë javën e kaluar për trafikimin e qenieve njerëzore dhe transplantimin e paligjshëm të organeve në fazën e parë të gjykimit, përfshirë këtu urologun Lutfi Dervishi, drejtor i Klinikës, dhe djalin e tij Arbanin, të cilët u dënuan me tetë vjet, respektivisht shtatë vjet burg. /Telegrafi/

0 comments:

Post a Comment