Analizat e ADN-së kryen edhe në Kosovë

Posted by Unknown On Friday, April 26, 2013 0 comments
Edhe Kosova tash e tutje mund të bëjë analizat e ADN-së, duke mos pasur nevojë që këto analiza të dërgohen në ndonjë shtet tjetër. Krejt kjo është bërë e mundur pas përfundimit të projektit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe FBI-së për instalimin e platformës së bazës së të dhënave për ADN-në “CODIS”.Në ceremoninë e përfundimit të këtij trajnimi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se CODIS është një bazë e të dhënave ku vendosen profilet e ADN-së me mundësi krahasim automatik dhe shkëmbimin e të dhënave.
Sipas tij, është një sistem i avancuar dhe shumica e vendeve evropiane e kanë të vendosur.
Për më tepër, ai ka shtuar se ky sistem është realizuar si rezultat i përkrahjes së vazhdueshme që ka dhënë Qeveria e SHBA-së, gjegjësisht ICITAP-i për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë. Me ndihmën e Qeverisë Amerikane është arritur të ndërtohet forenzika në Kosovë, si një model i suksesshëm edhe për vendet e tjera të rajonit.
“Vendosja e këtij sistemi dhe trajnimi i stafit të ADN-së është shumë i rëndësishëm për vendin tonë nisur nga fakti se krijohet një bazë nacionale e avancuar e të dhënave për profil të ADN-së, mundësohet krahasimi automatik i profileve të ADN-së, mundësohet shkëmbimi automatik i të dhënave me vendet e rajonit dhe BE-së dhe ndihmon në kryerjen e ekspertizës së ADN-së”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Kosovare të Forenzikës, Blerim Olluri ka thënë se zhvillimi i hovshëm i forenzikës teknologjisë dhe digjitalizimi i saj ka ndikim esencial në zbulimin e krimit.
“Të arriturat e shkencës së forenzikës janë përgjithësisht të pranueshme edhe nga perspektiva e të drejtave të njeriut. Duke qenë kështu jo relativisht invazive në krahasimin e metodave të mëparshme. Sigurisht që është shumë e rëndësishme që ekspertiza forenzikës të kenë kredibilitetin e tyre. Laboratori i Forenzikës, tani Agjencia Kosovës së Forenzikës e themeluar dhe mbështetur nga Qeveria Amerikane me teknologji të forenzikës të avancuar personel të avancuar ndërkombëtarisht sot shënon një ditë shumë të rëndësishme për zhvillimin informativ”, ka deklaruar Olluri.
Këtë projekt e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm edhe drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, pasi që siç thotë ai të gjitha analizat e ADN-së tani e tutje do të bëhen në këtë agjenci.
“Ky është hapi më serioz i sistemit teknologjik, i cili do të jetë faktikisht direkt i ndërlidhur me departamentin e mjekësisë ligjore, sepse çdo rast duke filluar nga dhuna fizike seksuale, identifikimet e kështu me radhë duhet të dërgohen edhe në laboratorin e forenzikës dhe normalisht kjo do të përshpejtimin e kryerjes së lëndëve të departamentin e mjekësisë ligjore”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Deri më tani analizat e ADN-së janë kryer jashtë Kosovës, si në kryeqytet e evropiane, Sofje, tani në Vjenë, pastaj në Zagreb.

0 comments:

Post a Comment