Me kë luajti Bayerni?

Posted by Unknown On Tuesday, April 23, 2013 0 comments
Bayern Munichu i e ka nëpërkëmbur atë që quhej skuadra më e mirë në botë – Barcelonën, duke e mposhtur me rezultat 4-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Allianz Arena.Blaugranët ishin kundërshtarë të lehtë për bavarezët në fraksionin e parë të lojës. Ata vetëm e qarkullonin topin në fushë dhe nuk shfaqnin aspak rrezik. Përkundër dominimit në posedimin e topit, mysafirët asnjëherë nuk e rrezikuan portën e Neuer. Leo Messi ishte i heshtur dhe vërehej se nuk është rikuperuar.
Nga ana tjetër, vendasit ishin mbresëlënës – të fortë në mbrojtje dhe të rrezikshëm sa herë që e kishin topin në posedim. Robben dërgoi një krosim në zonë, Dante e goditi me kokë në drejtim të portës, ndërsa aty arriti Thomas Mueller për të goditur me kokë dhe për ta mposhtur Valdesin (25’).
SuperBayerni vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Robben harkoi nga këndi, Mueller e uli topin për Mario Gomez dhe gjermani e dyfishoi rezultatin (49’) nga një pozitë e dyshimtë jashtë loje.
Arjen Robben pranoi një top nga Schweinsteiger e kaloi Jordi Alban, të cilin më pas e bllokoi Mueller (ndoshta me ndërhyrje të palejuar?) dhe holandezi e thelloi edhe më shumë avantazhin (73’).
Bartra i pati dy raste për Blaugranët, mirëpo një mbrojtës e ka të vështirë të reagojë si duhet në fazën e sulmit.
Ai që e hapi serinë e golave edhe e mbylli atë. Alaba dërgoi një asistim të bukur drejt Thomas Mueller, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për vendasit (82’).
Për ta shijuar këtë fitore në fund të ndeshjes u inkuadrua edhe mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane, Xherdan Shaqiri (në vend te Franck Ribery, 89’).
Edhe pse gjithçka është e mundur në futboll dhe po ashtu kemi të bëjmë me Barcelonën, megjithatë rezultati prej 4-0 do të thotë se Bayern Munichu është në një masë të madhe finalisti i parë i këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/

0 comments:

Post a Comment